Shtëpi Kuriozitete 17 vjetori im i zi!

17 vjetori im i zi!

Shperndaje në Facebook.

Sot, në këtë ditë jo shumë të bukur, vendosa edhe unë të tregoj historinë e fshehur të jetës sime. Dua të mbetem anonime, ashtu siç kam qenë gjithmonë. Këtë të vërtetë që unë di, nuk kam për t’ia treguar askujt. Para disa vitesh kisha turp, ndërsa tani kam frikë. Jam një vajzë 33 vjeçe, e padashuruar, që jetoj në një shtëpi me prindërit.

Kemi një familje të qetë dhe pjesërisht të lumtur. Unë jam vajzë e vetme në këtë shtëpi. Mami më thotë shpeshherë se duhet ta bëj familjen të lumtur dhe se ka ardhur koha që të gjej një shok në jetë.

Bisedojmë shumë herë bashkë për këtë çështje dhe ajo mërzitet e qan sepse unë nuk shfaq asnjë interes për t’i treguar diçka të re, por unë mundohem ta kaloj në heshtje këtë situatë. Ajo nuk e di ç’më ka ndodhur mua, nuk e di se jeta ime është mbyllur në vitin 1997…

Në këtë vit të mallkuar për shumë shqiptarë, ku rreziku ishte shumë i madh, vit ku njerëzit u kthyen në kafshë, unë isha vetëm 17 vjeçe dhe, në atë kohë, ndiqja gjimnazin. Prindërit, nga meraku i situatës së vështirë që po kalonte Shqipëria, më kërkonin që të mos shkoja për disa kohë në shkollë derisa të qetësohej gjendja, por unë nuk i dëgjova, shkoja në shkollë rregullisht.

Mësimin e bënim paradite. Nga shkolla kthehesha gjithmonë me një vajzë që ishte 2 vjet më e madhe se unë dhe jetonte në të njëjtën lagje me mua. Sa herë më shihte mami me këtë vajzë, fillonte të më kritikonte. Ajo ishte vërtet vajzë e lëvizshme dhe shumë e shkathët.

Qarkullonte fjala se ajo kishte të dashur një mësues fizkulture, por mua kjo gjë më dukej e pabesueshme, më dukeshin fjalë dhe thashetheme të kota. Ajo më ftonte shpesh të dilja me të, madje edhe të lija orët e mësimit. “Ke puthur ndonjëherë ti?”, më pyeste me një nënqeshje provokuese.

Unë skuqesha dhe thoja: “Jo, asnjëherë!”. Tregohesha e sinqertë me të; nuk kisha asnjë arsye pse ta gënjeja dhe ajo më quante buzëqumësht, kështu ma kishte vënë emrin, ose më mirë, pseudonimin, si me shaka. Shpeshherë dilnim edhe për kafe dhe ia kalonim mirë kur ishim vetëm ne të dyja, por kishte raste të tjera kur me ne vinin edhe disa tipa të çuditshëm që të fusnin frikën.

Njëri prej tyre ishte me flokë të gjata. Kisha frikë sa herë e shikoja, por kurioziteti ishte më i madh. Kurioziteti për të parë një jetë më ndryshe nga ajo që unë kisha, një jetë jo me rregulla strikte. Ai më shikonte gjithmonë në mënyrë të çuditshme. Më dukej sikur më hante me sy, si një maniak seksual. Tmerrohesha nga shikimi i tij.

Më 5 dhjetor unë kisha ditëlindjen. Komshija ime “e lëvizshme” më bëri dhuratë një fund meshini me ngjyrë të kuqe. E vesha dhe më pëlqente vetja me të. Ishte mosha e tillë, mendoj tani. Komshija më mori në telefon në shtëpi, se celular nuk kishim në atë kohë dhe më tha:

– Vish atë fundin e kuq dhe hajde këtu ku të them unë, se të kemi organizuar një festë për ditëlindjen…

Ishte një pallat afër shkollës sime, një pallat ku e kisha parë atë të hynte shpesh. Më kapi një ndjesi frike. Kaloi 1 orë dhe komshija më mori sërish në telefon. Mami po shqetësohej, megjithatë unë vendosa ta gënjeja e i thashë se po shkoja te shtëpia e një shoqeje për të bërë disa detyra.

– Po edhe sot që ke ditëlindjen, moj bijë? – Më pyeti mami e shqetësuar, por unë e kisha vendosur të shkoja.

U ngjita në katin e katërt të pallatit, siç ma kishte përshkruar komshija. Dera ishte gjysëm e hapur, ndaj u futa brenda. Edhe tani që po shkruaj, më dridhen duart, ndonëse kanë kaluar vite… Kur u futa, pashë që shtëpia ishte bosh.

Hyra në një dhomë ku kishte vetëm shishe alkooli bosh dhe një dyshek të madh në mes. Sa pashë këtë, u ktheva të ikja me vrap, por një dorë e fuqishme më mbërtheu nga mbrapa. Ishte ai, që unë e quaja maniaku seksual, shoku i komshijes sime, me flokë të gjata. Zemra sa s’më pushoi për një çast.

– Mos u tremb, qumështore! – më tha. – Kështu bëjnë të gjitha në fillim. Sa lehtë erdhe tek unë!

Mua nuk më dilnin fjalët nga goja. Doja të bërtisja me sa kisha fuqi, por dritarja dhe dera ishin të mbyllura. Ai më kapi me zor dhe filloi të më puthte gjithandej. Ishte një makth i neveritshëm, edhe pse unë puthjen e parë e kisha ëndërruar si gjënë më të bukur në botë. Ai ma hoqi fundin me dhunë.

Unë ndihesha vetëm, e pambrojtur, e tmerruar, vetëm dridhesha dhe qaja. Ai bëri seks me mua si një kafshë e vërtetë, pa pyetur për dhimbjen e tmerrshme që po përjetoja, madje më dukej sikur ajo e kënaqte më shumë. Pasi mbaroi punë me mua, më qëlloi disa herë dhe më tha se po të tregoja, do të vriste prindërit e mi.

– Do vish me mua, – tha. – Është koha që të bësh ca lek në Itali, si shoqja jote.

Unë qaja dhe i lutesha të shkoja e të mos më merrte me vete, por ai vazhdonte të më godiste. Mbaj mend vetëm se, kur u përmenda, isha në fund të shkallëve të pallatit, e gjakosur dhe e sakatuar. Kjo ishte dhurata ime për ditëlindjen e shtatëmbëdhjetë, për atë 5 dhjetor që nuk do ta harroj kurrë. U çova dhe shkova fillimisht te shoqja ime e ngushtë që banonte aty afër.

Fatmirësisht, prindërit e saj nuk ndodheshin në shtëpi; ishte me gjyshen dhe vëllain e saj të vogël. I tregova gjithçka shoqes sime të ngushtë dhe ajo më tha që të shkoja të denoncoja në polici, por çfarë policie kishte në ato vite? Policia kishte për vete frikë nga ato lloj përbindëshash apo ndoshta dhe ajo ishte e përfshirë në punë të tilla.

Gjithashtu, kisha frikë se mos u ndodhte gjë prindërve të mi. Atë natë qëndrova te shoqja ime, e cila mezi e bindi mamin në telefon se donte që unë ta festoja ditëlindjen me të; u lava e u qetësova disi, por gjumë në sy nuk vura aspak. Të nesërmen u ktheva në shtëpi dhe mami vuri re se diçka më kishte ndodhur.

E gënjeva dhe i thashë që isha helmuar. Për dy javë nuk shkova në shkollë. Më pas mora vesh që maskaresha që më futi në këtë histori, kishte përfunduar në trotuaret e Italisë. Nga ajo ditë, unë nuk jam lidhur me mashkull tjetër, edhe pse sot kanë kaluar plot 16 vjet. Ky ka qenë një sekret që do ta mbaj me vete atje ku do të shkoj.